Sot, forcat e policisë rrethuan ndërtesën ku operon televizioni News 24, duke ndaluar hyrjen e punonjësve të redaksisë dhe ndërprerë furnizimin me energji elektrike, gjë që ka pezulluar transmetimin.
Mësohet se veprimi lidhet me kalimin e pronësisë së godinës te kompania shtetërore “KAYO”, e krijuar me vendim qeverie për prodhimin dhe tregtimin e armëve. Operacioni është drejtuar nga Ardi Veliu, ish-drejtues i Policisë së Shtetit dhe aktualisht në krye të shoqërisë “KAYO”.
Ambientet e prekura dikur kanë qenë pjesë e ish-Uzinës së Autotraktorëve, të rikthyer vitet e fundit në hapësira për media.
Kjo është përplasja e dytë mes qeverisë dhe biznesmenit Irfan Hysenbelliu, pronar i News 24 dhe mediave të tjera. Në shtator 2022, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërhyri për prishjen e disa strukturave në “Prestige Resort”, duke argumentuar se kishte shkelje në lejet ndërtimore.
Në atë kohë, Hysenbelliu e konsideroi veprimin të motivuar politikisht, ndërsa mediat e tij e interpretuan si presion mbi linjën editoriale.
