Situatë alarmante në Kinë/ Mbyllet vendi nga virusi i ri, ndërpiten dritat

Autoritetet në Kinë kanë rikthyer masa të ngjashme me ato të periudhës së COVID-19 për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit chikungunya, që tashmë ka prekur mbi 10 mijë persona në të gjithë vendin.

Rreth 7 mijë raste janë raportuar në qytetin Foshan, ndërsa të paktën 3 mijë të tjera në 12 qytete të tjera të provincës Guangdong.

Pacientët e prekur janë vendosur në dhoma spitalore të mbuluara me rrjeta kundër mushkonjave dhe detyrohen të qëndrojnë në izolim për një javë ose derisa të rezultojnë negativë.

Ndërkohë, pamjet nga terreni tregojnë punonjës të shtetit që dezinfektojnë rrugët, ndërtesat dhe zonat e ndërtimit, ndërsa përdorimi i dronëve për spërkatje dhe gjetje të vendeve të shumimit të mushkonjave është intensifikuar.

Banorët janë urdhëruar të zbrazin çdo enë me ujë të ndenjur si shishe apo vazo, në të kundërt mund të përballen me gjoba deri në 10 mijë juanë apo ndërprerje të energjisë elektrike.

CDC ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi të nivelit 2 për vendet me shpërthim aktiv: Brazili, Kolumbia, India, Meksika, Nigeria, Pakistani, Filipinet, Tajlanda dhe Kina. Deri më tani nuk janë raportuar viktima në Kinë, por të prekurit këshillohen të paraqiten menjëherë në spital nëse shfaqin simptoma si temperaturë, dhimbje kyçesh ose skuqje të lëkurës.

Chikungunya përhapet përmes pickimit të mushkonjës Aedes dhe nuk transmetohet nga njeriu te njeriu. Simptomat kryesore përfshijnë ethe dhe dhimbje të forta të kyçeve, të cilat mund të zgjasin me javë apo muaj. Në raste të rralla, virusi mund të shkaktojë ndërlikime serioze në zemër, tru apo sy, dhe paraqet rrezik më të lartë për të moshuarit, foshnjat dhe ata me probleme shëndetësore ekzistuese.

Vaksina e parë kundër chikungunya, IXCHIQ, u miratua nga FDA në fund të vitit 2023 për të rriturit, ndërsa në fillim të vitit 2025 u licencua edhe vaksina e dytë, VIMKUNYA, për moshat mbi 12 vjeç. Të dyja vaksinat rekomandohen vetëm për ata që udhëtojnë drejt zonave të prekura apo punonjës laboratorësh të ekspozuar ndaj virusit.

Brazili mbetet vendi me numrin më të madh të rasteve, mbi 200 mijë, ndërsa në SHBA janë regjistruar 47 raste të importuara në vitin 2025, të gjitha nga udhëtarë që vinin nga vendet në rrezik.

Në vitin 2024 u regjistruan rreth 200 raste të ngjashme, pa asnjë viktimë. Autoritetet shëndetësore vijojnë të monitorojnë situatën globalisht ndërsa virusi vazhdon të përhapet në pjesë të tjera të Azisë, Afrikës dhe Evropës.