Një avion i vogël u rrëzua në një fushë në rrethin Yüreğir të qytetit Adana, në Turqi, gjatë një fluturimi të organizuar për një propozim martese. Si pasojë, piloti dhe pasagjerja mbetën të plagosur rëndë.
Avioni i kategorisë “Ultra Light”, që i përkiste një kompanie private aviacioni, ra gjatë përpjekjes për të kryer një ulje.
Në bord ndodhej piloti Burak Yürekli, 39 vjeç, dhe pasagjerja Şeyda Doğan. Sipas mediave turke, fluturimi ishte organizuar nga partneri i Doğan për t’i bërë asaj një propozim martese.
Gjatë afrimit për ulje, në radio u dëgjua pyetja për martesë dhe Doğan u përgjigj me “Po”, por menjëherë pas kësaj avioni humbi kontrollin dhe u rrëzua.
Të plagosurit u transportuan në Spitalin Universitar të Trajnimit dhe Kërkimit në Adana, ku ndodhen në gjendje të rëndë. Pamjet e aksidentit janë kapur nga një telefon celular dhe janë shpërndarë në rrjete sociale.
