Një fole grerëzash me nivele radioaktiviteti dhjetë herë më të larta se normat e lejuara është gjetur në një objekt në Karolinën e Jugut, i cili dikur prodhonte pjesë për armët bërthamore të SHBA-së.
Zyrtarët federalë njoftuan se foleja është trajtuar si mbetje radiologjike, ndërsa theksuan se nuk ka pasur asnjë ndikim për mjedisin apo publikun.
Sipas një raporti të Departamentit Amerikan të Energjisë të publikuar javën e kaluar, “foleja e grerëzave u spërkat për të ngordhur insektet dhe më pas u paketua si mbetje radiologjike”.
Foleja u zbulua më 3 korrik nga punonjësit gjatë një inspektimi rutinë në objektin e njohur si Savannah River Site (SRS), pranë qytetit Aiken.
Ndonëse u gjet pranë zonës ku ruhen miliona litra mbetje të lëngshme bërthamore, hetuesit përjashtuan mundësinë e një rrjedhjeje të re nga depozitat.
Sipas tyre, kontaminimi i lartë i atribuohet “mbetjeve radioaktive historike” – radioaktivitetit të mbetur që nga koha kur objekti prodhonte në mënyrë aktive plutonium për bombat bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë.
Objekti Savannah River Site u hap në vitet 1950 dhe sot funksionon me fokus te materialet bërthamore për termocentralet.
Raporti sqaron se vetë grerëzat do të kishin nivele më të ulëta radioaktiviteti sesa materiali i folesë. Për më tepër, duke qenë se grerëzat fluturojnë vetëm pak qindra metra larg folesë dhe se ajo u gjet në mes të një zone të sigurt prej rreth 800 kilometrash katrorë, mundësia që ato të kenë dalë jashtë objektit konsiderohet minimale.
“Nuk u gjet asnjë kontaminim në zonë,” theksohet në raport. “Nuk pati asnjë ndikim te punonjësit, mjedisi apo publiku.”
Pavarësisht garancive zyrtare, grupet mjedisore kanë shprehur kritika dhe skepticizëm. Organizata monitoruese “Savannah River Site Watch” deklaroi se shumë pyetje mbeten pa përgjigje.
“Jam jashtëzakonisht i zemëruar që autoritetet nuk shpjeguan se nga erdhi mbetja radioaktive, apo nëse ka ndonjë lloj rrjedhjeje nga depozitat për të cilën publiku duhet të jetë në dijeni,” u shpreh zëdhënësi Tom Clements për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Në këtë vend janë gjeneruar historikisht mbi 625 milionë litra mbetje të lëngshme bërthamore dhe aktualisht 43 depozita nëntokësore janë ende në përdorim, çka shton shqetësimet e grupeve mjedisore për sigurinë afatgjatë.
