VIDEO/ Momenti kur këputet pajisja rrotulluese me 23 persona

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në parkun e lojërave “Green Mountain” në qytetin Taif të Arabisë Saudite, ku një prej pajisjeve të argëtimit është shkëputur në mes gjatë funksionimit dhe është përplasur me tokën.

Të paktën 23 persona janë plagosur, ndërsa tre prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Incidenti ndodhi në pistën “360 Degrees”, një pajisje që ngrihet në ajër dhe rrotullohet.

Sipas dëshmitarëve, pak çaste para se të ndodhte defekti, u dëgjua një zhurmë e fortë që ngjante me kërcitje metali. Pjesa qëndrore e pistës, një shtyllë vertikale, është këputur papritur duke rënë në tokë me disa persona ende të ulur në sedilje.

Pavarësisht rënies, raportimet tregojnë se rripat e sigurisë kanë qëndruar në vend për pjesën më të madhe të pasagjerëve. Sipas dëshmive, kur shtylla u këput, ajo u përthye me forcë, duke hedhur dy ose tre persona në drejtime të ndryshme, ndërsa të tjerët mbetën të bllokuar në sedilje.

Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë dhënë ndihmën e parë, para se të plagosurit të dërgoheshin në spital.

Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e defektit teknik. Zona rreth pajisjes është rrethuar dhe operimet në park janë pezulluar përkohësisht.

Ky incident vjen pak ditë pasi një 18-vjeçare në Britaninë e Madhe pësoi lëndime të rënda në një panair, ndërsa më parë, një djalë adoleshent në Indonezi u lëndua pasi rripi i sigurisë në një pajisje tjetër u hap gjatë lëvizjes.