Një nga tërmetet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë ka goditur Rusinë lindore, duke shkaktuar jo vetëm alarm për cunami, por edhe një shpërthim vullkanik në një nga zonat më aktive të globit.
Tërmeti me magnitudë 8.8 goditi gadishullin Kamçatka, një zonë e njohur për aktivitet të lartë sizmik, e pozicionuar në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit” në Oqeanin Paqësor.
Si pasojë e lëkundjes së fuqishme, autoritetet shpallën gjendje emergjente dhe lëshuan paralajmërime për cunami, pasi dallgë të mëdha u drejtuan drejt ishujve Kurile dhe bregut të Kamçatkës.
Pak orë pas tërmetit, vullkani Klyuchevskoy – më i madhi në Euroazi – nisi të shpërthente. Sipas Akademisë së Shkencave të Rusisë, nga krateri ka nisur rrjedhja e lavës së nxehtë dhe janë regjistruar shpërthime të forta.
Ky vullkan kishte shfaqur shenja aktiviteti që një ditë më parë, por duket se tërmeti dhe mbi 200 pasgoditjet që pasuan e kanë riaktivizuar fuqishëm.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale, ndonëse disa banorë janë lënduar gjatë evakuimit në qytetin Severo-Kurilsk. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
