Futbollisti spanjoll Carles Perez, aktualisht pjesë e ekipit grek Aris, është dërguar me urgjencë në spital në Selanik pasi u kafshua nga një qen në zonën gjenitale.
Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes në Thermi, një periferi në jug të Selanikut, ndërsa Perez po shëtiste qenin e tij. Sipas informacioneve, një qen tjetër sulmoi kafshën e tij dhe, gjatë përpjekjes për t’i ndarë, 27-vjeçari u kafshua rëndë në pjesën intime.
Perez u transportua në një spital privat në zonën e Panoramës, ku iu deshën gjashtë qepje për të mbyllur plagën. Klubi grek Aris ka njoftuar se lojtari ka zhvilluar një infeksion të indeve të buta si pasojë e kafshimit dhe për këtë arsye është lënë jashtë skuadrës për ndeshjen e së enjtes në Ligën e Konferencës ndaj Araz-Nakhchivan nga Azerbajxhani.
Trajneri i Aris, Marinos Ouzounidis, konfirmoi se Perez kishte qenë planifikuar të ishte titullar në atë ndeshje. “Carles do të ishte në formacionin fillestar,” tha ai në konferencë për shtyp. “Por kjo ndodhi dhe tani po kërkojmë zgjidhje të tjera.”
Perez, i cili debutoi me ekipin e parë të Barcelonës në vitin 2019, ka luajtur më parë edhe për Romën, Celtan dhe Getafen. Ai iu bashkua Aris në fillim të korrikut në formë huazimi njëvjeçar nga Celta Vigo.
