VIDEO/ Mbërrijnë në Gaza përmes detit shishet e mbushura me ushqim, të hedhura nga populli Egjiptian

Një formë e pazakontë ndihme për Gazën ka nisur të bëhet virale në rrjetet sociale: qytetarë nga Egjipti dhe Turqia po hedhin në det shishe plastike të mbushura me oriz, miell dhe thjerrëza, me shpresën që ato të mbërrijnë në bregdetin e Gazës dhe t’u shërbejnë palestinezëve që po përballen me uri ekstreme.

Për herë të parë, sistemi i klasifikimit të sigurisë ushqimore ka paralajmëruar se “skenari më i keq i urisë është duke ndodhur aktualisht në Rripin e Gazës”, duke theksuar përhapjen e urisë, kequshqyerjes dhe përkeqësimit të kushteve shëndetësore.

Mbi 20 mijë fëmijë janë trajtuar për kequshqyerje të theksuar që nga prilli, ndërsa të dhënat zyrtare konfirmojnë se të paktën 16 fëmijë nën moshën 5 vjeç kanë humbur jetën nga mungesa e ushqimit vetëm gjatë muajit korrik.

Videot që po qarkullojnë online tregojnë njerëz në Egjipt dhe Turqi duke mbushur shishe plastike me ushqime bazë dhe duke i hedhur në det. Në një klip të shpërndarë nga Al Jazeera, një burrë egjiptian dëgjohet teksa thotë: “Na falni vëllezër, nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër. Kjo shishe mund të jetë arsyeja pse mbijetoni.”

Pamje të tjera tregojnë vajza të reja në plazhin e Sheikh Zuweid, në Rafah, duke mbushur shishet me ushqime ndërsa shpjegojnë se Gaza ndodhet vetëm 10 kilometra larg. Në Turqi, një grup njerëzish shihen gjithashtu duke hedhur shishe në det me të njëjtin qëllim.

Ndërkohë, konfirmohet se disa nga këto shishe kanë arritur realisht në Gaza. Një video e publikuar nga TRT World tregon një burrë palestinez që mban në dorë një shishe me thjerrëza të cilën thotë se e solli një peshkatar.

“Disa prej tyre, shumë pak, kanë mbërritur. Do të thotë që sot hamë thjerrëza,” thotë ai, duke treguar edhe një mesazh brenda shishes ku shkruhej “Rroftë Egjipti”.

Pavarësisht situatës kritike, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar: “Nuk ka uri në Gaza, nuk ka politikë urie në Gaza.” Por mbi 100 organizata ndërkombëtare, përfshirë Mjekët pa Kufij, Oxfam dhe Amnesty International, kanë kërkuar hyrjen urgjente të ndihmave në territorin palestinez.