Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se Vladimir Putin mund të përballet me pasoja të ashpra nëse nuk arrin një marrëveshje për paqe me Ukrainën brenda pak javësh, por ekspertët e inteligjencës sugjerojnë se Rusia mund të jetë duke përgatitur një tjetër ofensivë.
Gjatë një vizite në Skoci pas një takimi me kryeministrin britanik Keir Starmer, Trump tha se do t’i jepte Rusisë “10 apo 12 ditë” për të finalizuar një marrëveshje me Ukrainën, mbi tre vjet pas nisjes së luftës.
Ai deklaroi se ishte përpjekur disa herë për të ndërmjetësuar një zgjidhje, por çdo herë konflikti riniste pas sulmeve të reja nga ana e Moskës.
“E kishim pothuajse të zgjidhur disa herë, por më pas presidenti Putin lëshon raketa në qytete si Kievi dhe vret njerëz në azile apo ku e di unë. Trupat mbeten të shtrirë nëpër rrugë. Kjo nuk është mënyra për të vepruar,” deklaroi Trump.
Edhe pse marrëdhëniet mes Trumpit dhe presidentit ukrainas Zelensky kanë qenë të tendosura që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, duket se presidenti amerikan është tani më i vendosur për të vënë presion mbi Kremlinin dhe për të kërkuar mbylljen e luftës.
Megjithatë, ekspertja amerikane e inteligjencës, Rebekah Koffler, shkruan në The Telegraph se pavarësisht deklaratave publike, Rusia mund të përgatitet për një konflikt të ri në vitet në vijim. Ajo thotë se strategjia ushtarake e Putinit nuk është ndryshuar dhe se një tjetër shtet post-sovjetik, si Moldavia, mund të jetë në shënjestër.
Koffler shton se nuk është e bindur që një vend anëtar i NATO-s do të ishte objektivi i radhës i Rusisë, përveç nëse aleanca do të ndërhynte drejtpërdrejt në Ukrainë me trupa ushtarake.
Megjithatë, ajo paralajmëron se çdo veprim apo mosveprim nga NATO në vitet e ardhshme do të jetë vendimtar në vendimin e Putinit për të nisur një tjetër pushtim.
Trump, ndërkohë, i ka dhënë Rusisë një afat përfundimtar prej rreth dy javësh për të konfirmuar një armëpushim, duke paralajmëruar se përndryshe do të përballet me sanksione të reja ekonomike nga SHBA. Ai ka pranuar se është zhgënjyer nga Putini, por ka shtuar se “ende nuk ka mbaruar” me të.
