Pronari i autobuzit tërheq zvarrë të moshuarën

Një qytetare ka denoncuar një ngjarje shqetësuese që, sipas saj, i ka ndodhur nënës së saj 70-vjeçare mëngjesin e sotëm, gjatë udhëtimit me linjën ndërqytetëse Kombinat–Plepa.

Në denoncimin e publikuar, ajo shprehet se pronari i fugonëve të kësaj linje ka tentuar ta zbresë me forcë nga fugoni nënën e saj, pavarësisht se kjo e fundit ishte me paterica dhe kishte probleme serioze me lëvizjen.

Sipas dëshmisë, pronari ka pretenduar se të gjitha vendet ishin të zëna dhe ka kërcënuar të moshuarën kur ajo refuzoi të zbresë.

“E ka fyer dhe ka tentuar ta zbresë me forcë nga mjeti. Nënë ime është e sëmurë, me patericë dhe me gjurin e operuar. U përplas fizikisht me të, para 20 vetëve që ishin brenda fugonit të orës 06:30”, thuhet në denoncim.

Qytetarja kërkon ndërhyrje nga autoritetet për të verifikuar rastin dhe për të marrë masa ndaj pronarit, duke theksuar se raste të tilla abuzimi në transportin publik po ndodhin shpesh dhe pa asnjë pasojë për përgjegjësit.

Ajo bën thirrje që strukturat përgjegjëse për mbikëqyrjen e transportit urban dhe ndërqytetas të marrin masa konkrete për të garantuar respektimin e të drejtave të pasagjerëve, sidomos të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore.