Gazetari Enrik Mehmeti, një emër i njohur në median shqiptare, është bërë objekt kërcënimesh pasi denoncoi publikisht dhunën ndaj 18-vjeçarit Aron Balaj në qytetin e Vlorës.
Ngjarja u bë publike përmes pamjeve filmike që Mehmeti siguroi dhe publikoi, duke përfshirë edhe një intervistë me të riun që u dhunua nga ish-shefi i Rrugores, Adrian Isufi, dhe miku i tij, Leart Bimo.
Sipas gazetarit, gjithçka nisi në momentin kur mori informacion për incidentin e ndodhur në ambientet e hotelit “Regina Garden Group”. Ai deklaron se u nis menjëherë drejt vendngjarjes për të dokumentuar situatën, por thekson se aty nuk kishte asnjë prani të policisë, përveç zëvendësdrejtorit të Policisë së Vlorës, Klodian Kondi.
Sipas Mehmetit, ky i fundit i kërkoi që të mos publikonte pamjet ku dukej qartë dhuna e ushtruar nga kolegu i tij, një kërkesë që gazetari e refuzoi.
Pas publikimit të materialit filmik, gazetari u thirr në Komisariat për të dhënë deklaratë, ndërkohë që emri i tij u përmend edhe në një komunikatë zyrtare, pa asnjë provë konkrete apo marrje dëshmish. Mehmeti pretendon se gjithçka është një përpjekje për ta intimiduar pas publikimit të ngjarjes.
“Kur po kërkoja të intervistoja dhe drejtuesin e biznesit, u shfaq vetëm nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Klodian Kondi, pa asnjë efektiv tjetër të grupeve të gatshme. E theksoj: ASNJË efektiv policie. Për këtë mbaj përgjegjësi penale për çdo fjalë që po deklaroj. Pas një ore, më kërkuan të paraqitem në komisariat. Ndër të tjera, po i drejtoj një pyetje të thjeshtë zëvendësdrejtorit të policisë që ndodhej në vendngjarje: “Ai më kërkuat të mos publikoj pamjet ku kolegu juaj dhunon kamarierin?
Dhashë deklaratën time, ku sqarova se prania ime në vendngjarje kishte vetëm një qëllim: të bëja punën time si gazetar. Sot, për habinë time, pashë që në komunikatën zyrtare është përmendur emri im, pa u marrë asnjë dëshmitar i pranishëm, pa u parë kamerat e sigurisë dhe pa asnjë provë konkrete.
Prandaj, atë që nuk keni arritur ta bëni ju — të mblidhni prova dhe të merrni dëshmitarë — do t’jua sjell unë. Sot e nis me dëshminë e Aronit, të riut që u dhunua”
Në një video ku shfaqet bashkë me 18-vjeçarin Aron Balaj, ky i fundit konfirmon se gazetari nuk kishte asnjë lidhje me përplasjen fizike dhe se në momentin kur ndodhi ngjarja, të dy ndodheshin brenda në godinë, duke u përgatitur për intervistën. “Absolutisht asnjë njeri. Ne ishim bashkë të dy, ti nuk dole fare jashtë kur ndodhi ngjarja. Nuk ke goditur asnjë”, dëgjohet të thotë Aroni në video.
Gazetari thekson se publikimi i pamjeve nuk ishte një vendim i lehtë, por një veprim profesional për të nxjerrë të vërtetën. Ai shprehet se nuk do të tërhiqet përballë presioneve apo përpjekjeve për ta intimiduar. “Një gazetar nuk e mbyll kurrë gojën përpara padrejtësisë, edhe nëse përballet me ndjekje penale”, shkruan ai.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik, veçanërisht për rolin e autoriteteve lokale dhe mënyrën si është trajtuar denoncimi i një akti dhune të dokumentuar me video dhe dëshmi direkte.
