Një incident i rëndë është shënuar mbrëmjen e kaluar në zonën turistike të Skelës në Vlorë, ku një kamarier është sulmuar fizikisht dhe verbalisht gjatë orarit të punës, në prani të klientëve të shumtë.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një hoteli të njohur të zonës, ku, sipas burimeve për JOQ Albania, Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor në Vlorë, së bashku me Leart Bimon, person i njohur për precedentë penalë, kanë ushtruar dhunë ndaj kamarierit, pas një mosmarrëveshjeje për një shishe uji të sjellë në tavolinë.
Sipas dëshmive të para, fillimisht ka pasur përplasje verbale, ndërsa më pas situata ka agravuar në kontakt fizik.
Bimo e ka goditur disa herë kamarierin, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe gjendje të rënduar emocionale. Ngjarja ka ndodhur përpara klientëve të shumtë, përfshirë turistë të huaj, të cilët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Mësohet se stafi dhe disa klientë kanë ndërhyrë për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Autorët janë larguar menjëherë pas ngjarjes.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet, ndërsa rrethanat mbeten ende të paqarta.
