Pamje të ralla tregojnë momentin tragjik të tsunamit që i mori jetën më shumë se 220 mijë personave

Një video tronditëse, e publikuar së fundmi në internet, ka rikthyer vëmendjen mbi një nga katastrofat më shkatërruese natyrore të shekullit XXI: tërmetin dhe tsunamin e 26 dhjetorit 2004.

Ngjarja nisi në ujërat e Oqeanit Indian dhe përfundoi duke shkatërruar jetët dhe infrastrukturën në 14 vende të Azisë Jugore dhe Juglindore.

Pamjet e publikuara tregojnë momentet e para në një plazh në Tajlandë, ku turistët shihen të hutuar ndërsa uji tërhiqet papritur nga bregu — një shenjë paralajmëruese që shumë nuk e njihnin.

Banorët vendas, më të familjarizuar me dukurinë, përpiqen të paralajmërojnë të tjerët që të largohen, por brenda pak minutash, dallgët masive kthehen fuqishëm dhe shkatërrojnë gjithçka në rrugën e tyre: varka, ndërtesa, ura druri dhe struktura bregdetare.

Ky cunam u shkaktua nga një tërmet me magnitudë 9.1 ballë sipas shkallës Rihter, i cili ndodhi pas një përplasjeje të fuqishme mes pllakave tektonike të Indisë dhe Burmës, rreth 20 milje nën fundin e oqeanit.

Përplasja shkaktoi një çarje të gjatë afro 1,300 kilometra në fundin e detit, e cila ngriti papritur dyshemenë oqeanike me mbi 40 metra dhe lëshoi një energji të barasvlefshme me rreth 23,000 bomba atomike të tipit Hiroshimë.

Përmasat e dëmeve ishin kolosale:

230,000 të vdekur në 14 vende, përfshirë Indonezinë, Sri Lankën, Indinë dhe Tajlandën

139,000 banesa të shkatërruara

74,000 hektarë tokë bujqësore e përmbytur

Qindra shkolla dhe spitale të rrafshuara

8 aeroporte të dëmtuara rëndë

Dokumentari “Tsunami: The Wave That Shook the World”, transmetuar nga 7 Plus, përfshin pamje të vërteta nga momentet e para të fatkeqësisë dhe intervista rrëqethëse me të mbijetuar e familjarë të viktimave. Një përdorues në Reddit që ndau videon shkroi se një mik i tij në Sri Lanka ishte në shkollë në atë kohë, dhe ndërsa gjysma e klasës vizitonte një muze, gjysma tjetër ndodhej në plazh — dhe askush nga kjo pjesë nuk mbijetoi.

Pavarësisht tragjedisë, 20 vjet më vonë, shumë njerëz ende nuk janë të vetëdijshëm për përmasat reale të kësaj katastrofe. Tërmeti i vitit 2004 mbetet një ndër tre më të mëdhenjtë të regjistruar që nga viti 1900, dhe tsunami që pasoi është një nga më vdekjeprurësit në historinë moderne.

Kjo video, rikujton me forcë se natyra ka fuqinë të shkatërrojë brenda sekondash gjithçka që ndërtohet ndër vite — dhe rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit për të njohur shenjat paralajmëruese të fatkeqësive natyrore.