Ndryshon bonusi për lindjet në Shqipëri: Jo më çek në maternitet, por pagesë mujore deri në 5 vjeç

Nga 1 janari 2026, prindërit e fëmijëve të porsalindur nuk do të marrin më një çek të menjëhershëm në maternitet, por do të përfitojnë një pagesë mujore që do të zgjasë deri në moshën 5-vjeçare të fëmijës.

Skema e re e shpallur nga qeveria zëvendëson bonusin aktual të njëhershëm me një mbështetje të përhershme mujore.

Sipas planit të ri:

Për fëmijën e parë: 5,000 lekë në muaj (60,000 lekë në vit, 300,000 lekë në 5 vite), nga 40,000 lekë që është aktualisht bonusi.

Për fëmijën e dytë: 7,000 lekë në muaj (84,000 lekë në vit, 420,000 lekë në 5 vite), nga 80,000 lekë që jepet sot.

Për fëmijën e tretë dhe çdo fëmijë tjetër pas tij: 10,000 lekë në muaj (120,000 lekë në vit, 600,000 lekë në 5 vite), nga 120,000 lekë që jepet aktualisht si bonus.

Përmes kësaj skeme të re, qeveria synon të nxisë lindshmërinë në vend, në një kohë kur Shqipëria po përballet me rënie të numrit të lindjeve dhe rritje të moshës mesatare të popullsisë.