Detaje të reja tronditëse nga i mbijetuari i vetëm në përplasjen e avionit Air India

Rrëfimi i të mbijetuarit të vetëm nga përplasja tragjike e avionit të Air India, ku humbën jetën 260 persona, hedh dritë mbi pasojat e rënda emocionale që ka lënë pas kjo ngjarje.

Avioni “Flight AI171” ishte nisur nga Ahmedabad me destinacion Londrën, por u rrëzua më pak se një minutë pas ngritjes në afërsi të një konvikti që strehonte staf mjekësor nga Kolegji Mjekësor “Byramjee Jeejeebhoy”.

Sipas autoriteteve, avioni kishte arritur një lartësi prej vetëm 625 këmbësh kur humbi kontaktin me sistemet e kontrollit të fluturimit, vetëm 50 sekonda pas nisjes.

Mes viktimave ishin edhe 19 persona në tokë, ndërsa 40-vjeçari britanik Vishwash Kumar Ramesh, i ulur në vendin 11A, ishte i vetmi që arriti të dilte i gjallë. Ai mbeti me dëmtime në fytyrë dhe në kraharor, por përballja më e rëndë mbetet ajo psikologjike.

Fle por nuk fle qetë. Sa herë mbyll sytë, ëndërron sikur është sërish në avion,” ka treguar nipi i tij, Krunal Keshave, për “The Sunday Times”. Ramesh ka humbur edhe të vëllanë, Ajay, 35 vjeç, në këtë aksident. Dy vëllezërit kishin një biznes të përbashkët peshkimi dhe po përgatiteshin të ktheheshin në Mbretërinë e Bashkuar pas përfundimit të sezonit.

Tani ai e sheh të vëllanë gjithandej. Flet, por nuk flet për aksidentin. Po përpiqet të rikthejë normalitetin, por nuk del shpesh nga shtëpia. Rri kryesisht me familjen”, thotë i afërmi.

Një tjetër i afërm shton: “Ndihet fajtor që është i vetmi që shpëtoi, ndërsa të gjithë të tjerët, përfshirë vëllanë e tij, humbën jetën. Është shumë e rëndë për t’u përballuar.”

Ramesh arriti të shpëtojë duke dalë nga dera e emergjencës dhe është cilësuar nga vendasit si “njeriu mrekulli” apo “fëmija i Zotit”. “Nuk e di si arrita të dal i gjallë. I pashë njerëzit duke vdekur përpara syve,” ka thënë ai.

Hetimet janë përqendruar tani te shkaku që çoi në rrëzimin e avionit. Një raport paraprak prej 15 faqesh nga Byroja e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore të Indisë (AAIB) ka zbuluar se të dy çelësat e kontrollit të karburantit të motorëve ishin aktivizuar në pozicionin “CUTOFF” menjëherë pas ngritjes, duke ndërprerë furnizimin me karburant të motorëve.

Regjistruesi i zërit në kabinë ka përshkruar një shkëmbim të pazakontë mes dy pilotëve: “Pse e bëre cutoff?” pyeti njëri. “Nuk e bëra unë,” u përgjigj tjetri.

Piloti Clive Kunder, 32 vjeç, ishte në komandë, ndërsa kapiteni Sumeet Sabharwal, 56 vjeç, po monitoronte fluturimin. Dyshimet janë përqendruar te Sabharwal, por hetimet janë ende në vazhdim.

Ekspertët e aviacionit theksojnë se aktivizimi i këtyre çelësave nuk mund të ndodhë rastësisht, pasi kërkojnë veprim fizik të qëllimshëm. “Janë të dizajnuar për të mos u aktivizuar lehtësisht. Duhet ta ngresh lart çelësin dhe ta ulësh me forcë,” ka deklaruar kapiteni Byron Bailey.

Sipas raportit të AAIB, avioni kishte arritur shpejtësinë prej 180 nyjesh në orën 08:08:42 UTC. Vetëm pak sekonda më pas, të dy motorët humbën fuqinë.

Megjithatë, çdo sugjerim për një akt të qëllimshëm është hedhur poshtë. Shoqata e Pilotëve të Linjës Ajrore të Indisë (ICPA) e ka cilësuar të papranueshme ngritjen e pretendimeve për vetëvrasje të mundshme nga pilotët pa prova konkrete.

“Një deklaratë e tillë është thellësisht e pandjeshme për viktimat dhe familjet e tyre,” thuhet në reagimin zyrtar. “Të sugjerosh me lehtësi vetëvrasje pa fakte është shkelje e rëndë e etikës dhe dëmton integritetin e profesionit të pilotit.”