Detaje të reja: Pasi i dhunoi kamarierin, pronari i lokalit bën për spital ish-policin

Një tjetër zhvillim ka ndodhur pas incidentit të mbrëmjes së kaluar në një lokal në zonën e Skelës në Vlorë, ku një 18-vjeçar që punonte si kamarier u dhunua nga një ish-efektiv policie dhe një person me precedent penal.

Burime zyrtare konfirmojnë se pas ngjarjes, pronari i lokalit ka ndërhyrë për të mbrojtur punonjësin e tij dhe ka goditur ish-policin, i cili ka përfunduar në spital me lëndime.

Sipas Policisë së Shtetit, personi i përfshirë në incident është Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor në Vlorë dhe aktualisht oficer në Policinë Kufitare në Dibër.

Bashkë me të ndodhej Leart Bimo, me precedentë penalë. Sipas hetimeve paraprake, përplasja nisi pas një shishe uji të tepërt të sjellë në tavolinë. Dy të ftuarit kanë ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj kamarierit, i cili ka marrë goditje në fytyrë dhe qafë.

Pamjet filmike dhe dëshmitë e marra në vendngjarje konfirmojnë përshkallëzimin e situatës. Pronari i lokalit, shtetasi V. B., 53 vjeç, ka ndërhyrë dhe ka goditur Ardian Isufin, i cili për shkak të lëndimeve është shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit njofton se Ardian Isufi është pezulluar nga detyra me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, në pritje të zbardhjes së plotë të ngjarjes. Ndaj tij është nisur procedurë disiplinore nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit, që parashikon masa për sjellje që diskreditojnë institucionin dhe dëmtojnë besimin publik.

Hetimet po vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për statusin ligjor të personave të përfshirë në konflikt apo masat e mundshme ndaj tyre.