“Ia mora jetën se s’më jepte para”- Fqinjët përgënjeshtrojnë dëshminë e 26-vjeçares — ja çfarë deklarojnë ata

Fieri është përballur me një ngjarje të rëndë brenda familjes Rama në fshatin Frashër. Mbrëmjen e 23 korrikut, rreth orës 23:00, Emanilda Rama, 26 vjeç, vrau të atin, Anesti Rama, 56 vjeç, duke e mbytur me tel.

Fillimisht, ngjarja u raportua si një incident aksidental, ndërsa e reja dhe nëna e saj tentuan të paraqisnin vdekjen si të natyrshme. Por pas hetimeve dhe orëve të gjata në komisariat, 26-vjeçarja pranoi krimin. Ajo deklaroi se i ati nuk e mbështeste dhe nuk i jepte para, çka sipas saj ishte arsyeja e veprimit.

Megjithatë, deklaratat e saj janë kundërshtuar nga banorë të zonës. Sipas fqinjëve, Anesti Rama ishte një njeri i thjeshtë që nuk dinte as shkrim e lexim, dhe paratë që siguronte nga puna në fermë i tërhiqnin bashkëshortja dhe vajza nga bankomati.

Ata përjashtojnë mundësinë që ai të kishte kontroll financiar mbi të bijën në mënyrën që ajo ka pretenduar.

Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.