Publikohet fotoja/ Ja kush është vajza që i mori jetën babait të saj në Fier

Është publikuar fotoja e 26-vjeçares Emanilda Rama, e cila ka pranuar para grupit hetimor se ka mbytur me tel të atin, Anesti Rama, në banesën e tyre në fshatin Frashër të Fierit.

Imazhi është siguruar nga korrespodenti i Top Channel, Neritan Trifoni.

Burime hetimore pohojnë se ngjarja dyshohet të jetë planifikuar, pasi disa ditë para krimit, nëna dhe e bija e kishin çuar 56-vjeçarin për kontroll te kardiologu, për të ndërtuar një skenar që do të justifikonte vdekjen e tij si pasojë e problemeve shëndetësore.

Krimi ka ndodhur rreth orës 23:00, ndërsa thirrja në polici është bërë pas dy orësh.

Fillimisht, Emanilda ka deklaruar se babai kishte rrëshqitur në tualet dhe kishte ndërruar jetë. Ajo dhe e ëma kishin larë dhe veshur trupin. Por, gjatë këqyrjes së trupit, policia ka vënë re shenja dhune në qafë, që hodhën dyshimet e para për një vdekje jo natyrale. Pas disa orësh marrjeje në pyetje, 26-vjeçarja e ka pranuar krimin dhe ka treguar me detaje mënyrën si e kishte mbytur të atin.

Në dëshminë e saj, Emanilda ka shpjeguar se kishte ndjerë urrejtje për të atin, të cilin e akuzon për një sjellje kontrolluese dhe për mungesë mbështetjeje. Ajo ka pohuar se i ati nuk i lejonte të vishej sipas dëshirës, nuk e linte të dilte dhe mbante për vete të gjitha të ardhurat. Megjithatë, nuk ka dhënë asnjë informacion për dhunë fizike apo psikologjike të drejtpërdrejtë.

Ndaj saj dhe nënës së saj, Valbona Rama, është caktuar masa e arrestit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vazhdojnë.