Policia e Fierit ka vënë në pranga edhe Valbona Ramën, bashkëshorten e Anesti Ramës, e cila dyshohet se ka qenë bashkëpunëtore në vrasjen e tij.
Ajo është arrestuar një ditë pas vajzës së saj, Emanilda Rama, e cila tashmë ka pranuar se ka mbytur të atin me tel dhe ka tentuar ta paraqesë ngjarjen si një aksident.
Burime zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë me dije se Anesti Rama ishte prej kohësh i dhunuar dhe i përjashtuar nga bashkëjetesa familjare. Ai jetonte në një dhomë të veçuar, që shërbente si kuzhinë, brenda të njëjtit oborr me bashkëshorten dhe vajzën.
Informacione të tjera tregojnë se ai kishte shfaqur shenja dhune edhe në ambientet e punës, por i justifikonte si aksidente.
Sipas të dhënave paraprake, Valbona dhe Emanilda Rama e kanë pranuar përpara grupit hetimor përfshirjen në krim. Policia konfirmon se pasi e ka mbytur të atin, Emanilda e ka tërhequr trupin në banjë dhe më pas ka kryer veprime të tjera dhunuese ndaj viktimës.
Ajo është pyetur nga hetuesit për një mundësi ngacmimi seksual, por e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë.
Fqinjët dhe të afërmit kanë pohuar se konfliktet brenda familjes ishin të njohura prej vitesh, ndërsa policia kishte ndërhyrë disa herë për të shuar përplasjet.
Aktualisht, ndaj Valbona dhe Emanilda Rama po shqyrtohet masa e sigurisë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.
