Dëshmitari “shet” Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën, ja çfarë dëshmoi në SPAK

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, kanë hyrë në një fazë të re pas dëshmive të tre personave që kanë vendosur të bashkëpunojnë me drejtësinë.

Fillimisht ishte Adela Kondakçiu, ish-financiere dhe një nga personat më të afërt me Ajola Xoxën, e cila pranoi të bashkëpunonte me SPAK, duke dhënë dëshmi që rëndojnë pozitat e saj dhe të Veliajt. Më pas, Gentian Sula, person i përfshirë në skemën e transfertës së 115 mijë eurove, fillimisht pretendoi se kishte qenë garant për shumën, por ndryshoi qëndrim dhe deklaroi se gjithçka ishte përgatitur nga vetë Ajola Xoxa.

Një tjetër dëshmitar, i identifikuar me inicialet G. S., u mor fillimisht në pyetje për shumën prej 220 mijë eurosh të gjetur në zyrat e firmës “Partners Law”, e cila rezulton në pronësi të Ajola Xoxës. Ai kishte deklaruar në fillim se ishte ai porositësi i shumës dhe kontratës përkatëse, por ka ndryshuar qëndrim duke pohuar se ishte thjesht një favor që i ishte kërkuar nga Xoxa.

Sipas tij, nuk kishte dijeni për përdorimin e mëvonshëm të kësaj kontrate në organet e drejtësisë. Ai gjithashtu ka sqaruar se kontrata nuk ishte hartuar prej tij dhe as nuk i ishin bërë të qarta motivet për të cilat i kërkohej nënshkrimi.

Dokumentet e dosjes zbulojnë gjithashtu manovra të dyshimta të kryera nga Ajola Xoxa për të fshehur përfitimet përmes kompanisë “Partners Law”, përfshirë ndryshimin formal të pronësisë së saj në favor të Greta Domit në vitin 2019, por të regjistruar në QKB vetëm dy vite më vonë. Po ashtu, rezulton se kompania “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt, ka kryer transaksione të konsiderueshme me këtë firmë.

Dëshmitari i tretë që ka dalë në skenë është Marisa Nito (Abule), bashkëshortja e Elman Abules, një person i dënuar më parë në Belgjikë për aktivitet kriminal dhe që është përfshirë në hetimet për pastrim parash dhe kontrabandë. Nito ka dhënë detaje që kanë ndihmuar SPAK-un në ndërtimin e akuzave kundër Xoxës dhe Veliajt.

Hetimet përfshijnë tashmë jo vetëm personat kryesorë, por edhe lidhjet dhe bashkëpunëtorët e tyre të afërt. Prokuroria e Posaçme ka përforcuar pozicionin e saj me dëshmitë që hedhin dritë mbi skemat financiare dhe favorizimet e dyshuara që implikojnë funksionarë të lartë dhe rrjetin e tyre.