Një hulumtim i publikuar më 22 korrik në revistën Nature Communications ka nxjerrë në pah një efekt të papritur të pandemisë së COVID-19: truri i njeriut është plakur më shpejt, pavarësisht nëse personi ishte apo jo i infektuar me koronavirus.
Studiuesit analizuan imazhe të trurit të më shumë se 1,000 personave, të realizuara gjatë dhe pas pandemisë, dhe i krahasuan ato me të dhënat e mbledhura në periudha të tjera.
Ata vëzhguan ndryshime në zonat kyçe të trurit si lënda gri (e lidhur me kujtesën, emocionet dhe lëvizjen), lënda e bardhë (që ndihmon në komunikimin mes neuroneve), si dhe në aftësitë njohëse dhe moshën biologjike të trurit.
Rezultatet treguan se gjatë pandemisë, truri i njerëzve u plak mesatarisht 5.5 muaj më shpejt se zakonisht. Ky përshpejtim ndodhi edhe tek ata që nuk kishin kaluar COVID-19, çka sugjeron se shkaktarët ishin faktorë të tjerë si stresi, izolimi dhe ndërprerja e jetës së përditshme.
“Ky zbulim ishte interesant dhe ndoshta i papritur”, tha studiuesi Ali-Reza Mohammadi-Nejad nga Universiteti i Nottinghamit, duke shtuar se “vetë përvoja e jetës gjatë pandemisë ka pasur pasoja të matshme në shëndetin e trurit”.
Megjithëse procesi i plakjes nuk mund të ndalet, studiuesit theksojnë se disa pasoja mund të zbuten ose përmirësohen përmes kujdesit ndaj shëndetit të përgjithshëm – si aktiviteti fizik, gjumi i mirë, ushqimi i shëndetshëm dhe angazhimi në aktivitete sociale dhe mendore.
