Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në lagunën e Patokut në Kurbin, ku dy 16-vjeçarë kanë hyrë për t’u larë në det, përmes kanalit që lidh lagunën me detin Adriatik.
Sipas informacioneve nga policia, gjatë kohës që ndodheshin në ujë, njëri prej tyre është nxjerrë me vështirësi dhe është transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.
Fatkeqësisht, shoku i tij dyshohet se është mbytur dhe pavarësisht kërkimeve, trupi i tij ende nuk është gjetur.
Në vendngjarje ndodhen forcat e Komisariatit të Policisë Kurbin, Policia Kufitare si dhe është kërkuar ndërhyrja e polumbarëve të Renea-s për të vijuar operacionin e kërkimit.
Njofimi i Policisë:
“Kurbin / Informacion paraprak. Sot, më datë 24.07.2025, rreth orës 15:00, në lagunën e Patokut, dy 16-vjeçarë kanë hyrë për t’u larë në det, duke kaluar përmes kanalit që lidh lagunën me detin.
Ndërsa ishin duke u larë, njëri prej tyre është nxjerrë nga uji dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa 16-vjeçari tjetër dyshohet se është mbytur dhe trupi i tij nuk është gjetur ende.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe të Policisë Kufitare, si dhe është kërkuar ndërhyrja e polumbarëve të Renea-s, për kërkimin dhe gjetjen e trupit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”
Më shumë informacione priten në orët në vijim.
