Një aksident ajror i rëndë ka ndodhur në Itali, ku një avion është rrëzuar mbi rrugën provinciale “Corda Molle” në zonën mes Flero dhe Travagliato, në provincën e Brescias.
Ngjarja ndodhi të martën rreth orës 13:00 dhe solli vdekjen e dy personave. Viktimat janë identifikuar si Sergio Ravaglia, 75 vjeç, avokat nga Milano, dhe partnerja e tij Maria De Stefano, 60 vjeçe.
Të dy ndodheshin në bord kur avioni humbi kontrollin dhe u përplas në asfalt, duke marrë flakë menjëherë. Trupat e tyre u gjetën të karbonizuar.
Avioni, një Promecc Aerospace Freccia, ishte ngritur nga Gragnano Trebbiense në provincën e Piacenzas dhe ishte në fluturim drejt veriut. Bëhet fjalë për një mjet ajror rreth 7 metra të gjatë, me hapje krahësh 9 metra, i aftë të arrijë shpejtësi deri në 250 km/h.
Pamjet nga vendngjarja janë publikuar një ditë pas aksidentit, duke treguar përmasat e dëmit dhe mbetjet e avionit të shpërndarë në rrugë. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.
