Një 20-vjeçar nga Tirana është bërë rasti i parë në vend që përballet me ndjekje penale për shkak të një parkimi të gabuar.
Sipas Policisë Rrugore, ai kishte parkuar mjetin në mënyrë të tillë që pengonte qarkullimin e mjeteve në rrugë. Së bashku me të është proceduar edhe një 35-vjeçar, për të njëjtën shkelje.
Të dy shoferët janë ndaluar mbi bazën e nenit 293 të Kodit Penal, i cili parashikon ndëshkime për pengim të qarkullimit rrugor. Ky është rasti i parë kur një veprim i tillë nuk ndëshkohet vetëm me gjobë apo bllokim mjeti, por kalon në procedim penal.
Në njoftimin e saj, Policia e Tiranës sqaroi se gjatë javës së fundit janë:
- bllokuar 45 automjete,
- ndaluar 25 drejtues për shkelje të rënda,
- dhe janë shtuar kontrollet në të gjitha akset urbane.
Autoritetet paralajmërojnë se çdo rast parkimi që pengon trafikun do të trajtohet me të gjitha mjetet që lejon ligji.
Në këtë kontekst, “burgu për parkim dysh” nuk është më thjesht një paralajmërim, por një praktikë që tashmë po zbatohet.
