E habitshme nga Irani: Izraeli përdori ‘xhinde’ gjatë luftës

Një zyrtar i lartë iranian ka ndezur debat në rrjet pas pretendimeve se gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit janë përdorur forca “okulte dhe mbinatyrore”.

Abdollah Ganji, ish-redaktor i gazetës Javan – e lidhur ngushtë me Gardën Revolucionare Iraniane – i shkroi 150 mijë ndjekësve të tij në platformën X se “pas luftës u gjetën fletë letre me talismanë e simbole hebraike në rrugët e Teheranit”.

Ai shtoi gjithashtu se “në vitin e parë të luftës së Gazës kishin qarkulluar lajme për një takim të Netanyahut me specialistë okultë”, duke përforcuar idenë se Izraeli përdor, sipas tij, praktika mistike si pjesë e strategjive ushtarake apo të inteligjencës.

Pretendimet u shoqëruan edhe me rikujtimin e një deklarate të mëhershme nga Udhëheqësi Suprem iranian, i cili kishte thënë se “vendet armiqësore dhe shërbimet perëndimore e hebraike përdorin shkenca okulte dhe entitete si xhindët për spiunazh”.

Llogaria zyrtare në X e Mossadit, agjencisë izraelite të inteligjencës, reagoi menjëherë në persisht duke ironizuar deklaratat e Ganji-t: “Përdorimi i drogës dhe të folurit me xhindët nuk janë tipare të dëshirueshme për dikë që udhëheq një vend.”

Ndërkohë, edhe diplomacia izraelite është përfshirë në reagime. Waleed Gadban, këshilltari politik i përfaqësuesit të Izraelit në OKB, e ripostoi deklaratën e Mossadit duke shtuar në persisht: “Xhindët, xhindët janë kudo”, së bashku me një emoji fantazmash.