“Mendon se është ende në avion”- Familjarët flasin për të mbijetuarin e vetëm: Ja çfarë i ndodh gjatë natës

Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, është i vetmi që i mbijetoi aksidentit ajror të Air India më 12 qershor në Ahmedabad të Indisë, ku humbën jetën 241 persona, përfshirë vëllain e tij, Ajay.

I ulur në sediljen pranë dritares 11A, Ramesh arriti të dalë nga avioni pak çaste para se të shpërthente në flakë.

Sot, ai vazhdon të përballet me pasojat psikologjike të ngjarjes dhe ka mbetur në Indi me bashkëshorten dhe djalin e tij.

Kur fle, shikon makthe sikur është ende në avion. E kujton se si njerëzit vdisnin para syve të tij,” ka treguar një i afërm i tij, Krunal Keshave nga Leicester, për mediat britanike.

Ndërsa, në një intervistë për DD News, Ramesh rrëfeu: “E pashë vetë si vdiqën dy persona afër meje, dhe stjuardesat. Dola nga rrënojat me këmbët e mia.”

Hetimet e para kanë nxjerrë në pah një “gabim” të mundshëm njerëzor. Sipas autoriteteve amerikane, nuk ka prova që defektet teknike të Boeing-ut ishin shkak i rrëzimit. Dyshohet se çelësat që kontrollojnë rrjedhën e karburantit në të dy motorët ishin fikur – gjë që mund të ketë shkaktuar humbjen e fuqisë. Ende nuk dihet nëse ky veprim ishte i qëllimshëm, aksidental apo ndodhi gjatë një përpjekjeje për të rifilluar motorët.

Aktivizimi i gjeneratorit emergjent të energjisë (RAT) përpara përplasjes e mbështet këtë skenar, që është në shqyrtim nga hetuesit.

Kapiteni i avionit, Sumeet Sabharwal, 56 vjeç, i cili kishte mbi 15,600 orë fluturimi, thuhet se kishte kërkuar nga roja i kompleksit ku jetonte të kujdesej për babain e tij të moshuar: “Kujdesu për babin. Do kthehem shpejt,” i kishte thënë, vetëm pak orë përpara tragjedisë. Sabharwal është përmendur nga kolegët si një pilot me përvojë, por që kohët e fundit po përballej me vështirësi në aspektin mendor.

Në bord ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, një kanadez dhe shtatë portugezë. Rrëzimi i fluturimit Air India 171 është tashmë një nga tragjeditë më të rënda ajrore në historinë e fundit të Indisë.