Publikohet një video tjetër e CEO-s së Astronomer dhe drejtoreshës së HR-së në momente intime

Një tjetër video e CEO-s së Astronomer, Andy Byron, dhe drejtoreshës së HR-së, Kristin Cabot, ka filluar të qarkullojë në rrjet, duke tërhequr sërish vëmendjen e publikut.

Këtë herë, dyshja janë filmuar gjatë koncertit të Coldplay, jashtë momentit të njohur në “kiss cam”, duke u përqafuar dhe shkëmbyer puthje teksa këndonte kënga “Yellow”.

Në video, ata shfaqen të afërt e të përqafuar në mes të turmës, në një moment që duket më pak spontan sesa herën e parë.

Fillimisht, çifti u bë pjesë e vëmendjes kur u shfaqën në ekranin gjigant të stadiumit gjatë një momenti intim që, mesa duket, nuk ishte aq privat sa mendonin.

Chris Martin, vokalisti i Coldplay, e vuri re çiftin dhe bëri shaka nga skena duke thënë: “Shikoni këta të dy!”.

Menjëherë pas kësaj, Byron dhe Cabot panë veten në ekran dhe u dukën të zënë ngushtë: Byron u ul për të shmangur kamerën, ndërsa Cabot, e kthyer nga turma, i tha dikujt pranë: “Kjo është e sikletshme”. Chris Martin vazhdoi me batutën: “Ose kanë një aferë, ose janë shumë të turpshëm. Shpresoj të mos e kemi prishur ndonjë gjë”.

Pas këtij episodi që mori përmasa virale, u bë e ditur se të dy janë të martuar me persona të tjerë. Andy Byron është i martuar me Megan Kerrigan Byron, e cila pasi videoja filloi të qarkullojë, hoqi mbiemrin “Byron” nga profilet e saj në rrjetet sociale dhe më pas i fshiu të gjitha llogaritë.

Nga ana tjetër, Kristin Cabot mendohet të jetë e martuar me Andrew Cabot, CEO i Privateer Rum. Dokumentet e pronësisë zbulojnë se ajo dhe bashkëshorti janë bashkëpronarë të një shtëpie me katër dhoma në Rye, New Hampshire, me vlerë rreth 2.2 milionë dollarë.