Ajo që duhej të ishte një moment argëtues gjatë koncertit të Coldplay të mërkurën në mbrëmje, përfundoi duke u kthyer në një krizë të vërtetë për imazhin e një CEO-je të njohur të teknologjisë – dhe videoja është pa dyshim turpëruese.
Gjatë koncertit në Gillette Stadium në Boston, vokalisti Chris Martin vendosi të ngrohë atmosferën me klasiken “kamera e puthjeve”.
Por ajo që ndodhi më pas tronditi publikun, pushtoi internetin dhe mund të ketë vënë në rrezik karrierën miliardëshe të një drejtuesi të njohur në teknologji.
Ndërsa kamera përshkonte turmën e madhe në stadium, papritur u fokusua tek Andy Byron, CEO i martuar i kompanisë Astronomer, një firmë softuerësh që thuhet se vlen mbi 1 miliard dollarë, dhe shefja e burimeve njerëzore, Kristin Cabot.
Të dy dukeshin tepër të afërt. Byron kishte krahun rreth Cabot, e cila ishte përkulur duke buzëqeshur.
Por sapo kuptuan se po transmetoheshin në “kamerën e puthjeve” të Coldplay, reagimet e tyre e përkeqësuan vetëm më shumë situatën.
Byron u largua menjëherë, duke u fshehur pas një barriere si dikush që kapet në flagrancë, ndërsa Cabot mbuloi fytyrën me duar, dukshëm e turpëruar.
Në atë moment, Chris Martin dha goditjen përfundimtare me një batutë të shkëlqyer:
“Oh, ose kanë një lidhje jashtëmartesore ose janë shumë të turpshëm”, duke shkaktuar të qeshura të mëdha nga turma – e cila nuk e kuptoi menjëherë çfarë po ndodhte.
Pas kësaj ngjarje të bujshme, CEO i Astronomer ka reaguar publikisht.
“Dua ta pranoj publikisht këtë moment që po qarkullon online dhe zhgënjimin që ka shkaktuar. Ajo që duhej të ishte një mbrëmje muzike dhe gëzimi, u kthye në një gabim personal që u bë publik në një skenë shumë të madhe. Dua të kërkoj ndjesë sinqerisht bashkëshortes sime, familjes sime dhe ekipit në Astronomer. Ju meritoni më mirë nga unë, si partner, si prind dhe si drejtues.”
Ai shtoi se po tërhiqet për një periudhë reflektimi dhe kërkoi privatësi:
“Po marr kohën e duhur për të reflektuar, për të marrë përgjegjësitë dhe për të vendosur për hapat e ardhshëm, si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale.” E konsideroj shumë shqetësues faktin që një moment privat u bë publik pa pëlqimin tim. Kam respekt për artistët, por shpresoj të reflektojmë të gjithë mbi ndikimin që ka kur jeta e dikujt tjetër kthehet në spektakël publik.”
