Biznesmeni Elton Ilirjani ka folur hapur për ndikimin që ka pasur historia e ndihmës së tij ndaj këngëtares Parashqevi Simaku në perceptimin publik për figurën e tij.
Gjatë një interviste të dhënë për emisionin “Pushime on Top”, teksa ndodhej me pushime në jug të vendit, Ilirjani u shpreh se megjithëse ndihet krenar për ndihmën që i ka ofruar Simakut, e konsideron të kuptueshme edhe mënyrën si publiku tashmë e lidh automatikisht me këtë ngjarje, duke lënë në hije aspekte të tjera të karrierës së tij.
“Ishte bërë një histori kombëtare. Tani kur dal në rrugë, më pyesin për Parashqevinë, gjë që është shumë e mirë, sepse e dua fort, e kam si mamin tim. Por më vjen edhe pak keq, ndihem pak xheloz,” u shpreh ai, duke shtuar se për herë të parë ndan këtë shqetësim në publik.
Sipas Ilirjanit, kjo nuk lidhet me mungesë mirënjohjeje, por me faktin që fokusi i opinionit është zhvendosur nga puna e tij në çështje të tjera. “Kam një merak për karrierën time. Çfarë duhet të bëj tani që shqiptarët të vendosin në plan të dytë shpëtimin e Parashqevi Simakut?”, tha ai.
