Të paktën 61 persona kanë humbur jetën pas një zjarri masiv që përfshiu qendrën tregtare gjashtëkatëshe “Corniche Hypermarket Mall” në qytetin Kut të Irakut.
Zjarri shpërtheu mbrëmjen e djeshme, vetëm pesë ditë pas hapjes zyrtare të qendrës, në një moment kur dhjetëra qytetarë – burra, gra e fëmijë – ndodheshin brenda për të blerë apo darkuar.
Sipas dëshmitarëve, flakët nisën në katin e parë pas një shpërthimi të një kondicioneri, duke u përhapur më pas me shpejtësi në gjithë ndërtesën.
Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë skena tronditëse: ndërtesa e mbuluar nga tymi dhe flakët, njerëz të izoluar në çati dhe familjarë të dëshpëruar që prisnin lajme jashtë spitalit.
Ministria e Brendshme e Irakut bëri me dije se shumica e viktimave kanë ndërruar jetë nga asfiksimi në banjot e qendrës, ndërsa 14 trupa mbeten të paidentifikuar për shkak të djegies së rëndë.
Ekipet e zjarrfikësve dhe të mbrojtjes civile arritën të shpëtojnë më shumë se 45 persona, ndërsa kërkimet për të zhdukurit vijuan deri në orët e para të mëngjesit.
Një mjek lokal, Nasir al-Quraishi, tha se humbi pesë anëtarë të familjes. Ai tregoi se ndodheshin aty për të darkuar dhe për të shmangur ndërprerjet e energjisë në shtëpi. “Një kondicioner shpërtheu dhe pastaj zjarri nisi. Nuk mundëm të dilnim dot,” rrëfeu ai.
Guvernatori i provincës shpalli tri ditë zie dhe paralajmëroi padi ndaj pronarit të qendrës dhe kompanisë ndërtuese, ndërsa kryeministri Mohammed Shia al-Sudani urdhëroi nisjen e një hetimi të plotë për shkaqet dhe përgjegjësitë.
Iraku është shpesh skenë e ngjarjeve të tilla tragjike për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë dhe infrastrukturës së amortizuar. Vetëm në shtator të vitit të kaluar, mbi 100 persona humbën jetën nga një zjarr në një sallë dasmash.
