VIDEO/ Pamjet e rrëmbimit të Renis Dobrës zbulojnë lëvizjet e autorëve pak minuta pas daljes nga banesa

News24 ka publikuar pamje nga momentet e fundit të 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u rrëmbye dhe më pas u vra nga autorë që tashmë janë identifikuar dhe pjesërisht arrestuar nga policia.

Në videon e siguruar nga gazetari Igli Çelmeta, shfaqet një mjet tip Hyundai i bardhë që ndjek nga pas makinën e Renisit pranë banesës së tij.

Hetimet tregojnë se dy autorët e arrestuar, Petrit Çakrri (alias Hoxhaj) dhe Fatjon Bushgjoka, përdorën dy automjete në këtë ngjarje: një Range Rover të zi për vëzhgim dhe Hyundai-n për rrëmbimin.

Ngjarja ka ndodhur në Mat, ndërsa trupi i pajetë i të riut u gjet i hedhur në Liqenin e Shkopetit.

Sipas akt-ekspertizës mjeko-ligjore, Renis Dobra është mbytur me një lak, duke ndërruar jetë nga asfiksia mekanike.

Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre edhe vëllezër të njohur për precedentë penalë. Policia ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie nga fshati Zenisht deri në hyrje të Burrelit, për të ndjekur itinerarin e autorëve.

Sipas hetuesve, autorët kanë planifikuar çdo detaj për të shmangur identifikimin. Ata dyshohet se kanë përdorur mjete për të mbuluar targat e automjeteve, ndërsa itinerari i tyre pas ngjarjes mund të ketë kaluar përmes rrugës së Kombit.

Rrëmbimi dhe vrasja e Dobrës po hetohen si pjesë e një konflikti të mundshëm për trafik droge, nisur që nga qëndrimi i tij në Gjermani, ku kishte vuajtur një dënim 6-mujor.

Familjarët e viktimës kanë treguar se ai kishte pasur mosmarrëveshje me persona që e akuzonin për përvetësim të një sasie kokaine. Kjo pistë po shihet si kryesorja në zbardhjen e motivit të krimit.