Një javë pas ngjarjes që tronditi zonën e Matit, detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i pajetë në ujërat e liqenit të Ulzës, bashkë me automjetin e tij.
Sipas hetimeve paraprake të policisë, Dobra dyshohet se u vra në mënyrë makabre nga Aleksandër Bushgjokaj, Kristi (i njohur dhe si Kristë) Bushgjokaj dhe Fation Bushgjokaj. Të tre janë identifikuar si autorë të dyshuar dhe lidhja mes tyre duket se nuk është e rastësishme.
Burime pranë grupit hetimor thonë se motivi kryesor i dyshuar lidhet me pazare të mëparshme droge. Dobra rezulton të ketë punuar për një periudhë në Gjermani, ku sipas të dhënave, ishte i përfshirë në rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike që dyshohet se kontrollohej nga vëllezërit Bushgjokaj.
Pista që po ndiqet nga autoritetet sugjeron se përplasjet e vjetra dhe mosmarrëveshjet për interesa brenda këtij aktiviteti të paligjshëm mund të kenë çuar në përfundimin tragjik të 23-vjeçarit. Hetimet janë ende në vijim dhe policia nuk ka bërë ende publike të gjitha detajet për rrethanat dhe mënyrën e ekzekutimit.
Ndërkohë, familjarët vijojnë të përjetojnë dhimbjen e humbjes. Motra e viktimës ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh të shkurtër, por tejet prekës. “Vetëm një vëlla kisha… dhe tani një plagë që s’mbyllet kurrë”, shkroi ajo në një postim në TikTok, duke ndarë dhimbjen me ndjekësit.
Ngjarja mbetet një nga më të rëndat në zonë për këtë vit, ndërsa autoritetet janë në kërkim të të vërtetës së plotë që fshihet pas kësaj vrasjeje.
