Policia e Dibrës ka zbardhur të plotë skenarin e një ngjarjeje që ka tronditur opinionin publik: rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, 23-vjeçarit i cili u torturua dhe u vra më 8 korrik, për t’u hedhur më pas bashkë me automjetin në liqenin e Shkopetit.
Në një deklaratë për shtyp të dhënë këtë të mërkurë, uniformat blu kanë bërë publike emrat e personave që dyshohet se qëndrojnë pas këtij krimi.
Sipas Policisë, tre vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja, me banim në Kamzë, janë në qendër të hetimeve. Aleksandër Bushgjokaj, Kristi (alias Kristë) Bushgjokaj dhe Fation Bushgjokaj, të njohur për Policinë për precedentë penalë, dyshohet se kanë bashkëpunuar ngushtë me një tjetër personazh problematik: Petrit Çakrri, i njohur dhe me nofkën “Hoxha”.
Hetimet kanë zbuluar se këta shtetas, në bashkëpunim edhe me katër persona të tjerë, të cilët janë aktualisht të ndaluar por me identitet të pazbuluar për shkak të hetimeve në vijim, kanë ndërtuar një plan të detajuar.
Sipas Policisë, 23-vjeçari është marrë peng në fshatin Zenishtë të Burrelit, ku është torturuar dhe më pas është mbytur me litar. Pasi i kanë marrë jetën, trupin e pajetë e kanë futur në makinën e tij dhe e kanë hedhur në liqenin e Shkopetit, në përpjekje për të zhdukur gjurmët.
“Nuk është përdorur asnjë element policor në rrëmbim apo gjatë aktit kriminal,” bën me dije Policia, duke përjashtuar mundësinë e ndonjë keqpërdorimi të autoritetit nga ndonjë prej autorëve.
Por cilat janë motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje? Burime zyrtare nga Policia kanë konfirmuar se i riu kishte precedentë penalë në Gjermani për shpërndarje droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Pikërisht një konflikt i lidhur me trafikun e narkotikëve dyshohet të jetë shkaku që solli ekzekutimin e tij në mënyrë makabre.
Aktualisht në pranga janë Petrit Çakrri dhe një prej vëllezërve Bushgjokaj, konkretisht Fatjon Bushgjokaj, ndërsa për dy të tjerët vijon kërkimi intensiv.
Policia nuk ka bërë të ditur ende rolin e katër personave të tjerë të ndaluar në këtë ngjarje, duke lënë të hapur mundësinë që rrjeti i përfshirë në këtë vrasje të jetë më i gjerë sesa mendohej fillimisht.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë zhvillime të reja.
