Në kërkim nga policia, reagon për herë të parë Meriton Mjekiqi (Foto)

Prej disa ditësh, emri i Meriton Mjekiqit është rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi ndaj tij raportohet se rëndon dyshimi për përfshirje në një incident të dhunshëm që ka përfunduar me një të lënduar.

Burime nga Prokuroria për “Reporteri” kanë bërë të ditur se ngjarja është cilësuar si “lëndim i rëndë trupor”, ndërsa policia ka ndërmarrë veprime për lokalizimin e personave të dyshuar, përfshirë edhe bastisjen e një banese në Obiliq. Por Meritoni nuk është gjetur aty.

Ndërkohë që mediat vijojnë raportimet mbi rastin dhe autoritetet janë ende në kërkim të personave të përfshirë, vetë Meritoni ka bërë një reagim të heshtur, por që ka tërhequr vëmendjen.

Ai postoi një foto në Instagram ku shfaqej krah një djali të vogël, dhe në përshkrim shkroi: “Shoku im i ri.”

Megjithatë, postimi u fshi shumë shpejt pas publikimit, duke shtuar më tej misterin rreth situatës në të cilën ndodhet.

Burime pranë prezantuesit kanë pohuar për “Pamfleti” se Meritoni ndodhet jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, dhe se nuk ka pasur dijeni se ishte shpallur në kërkim. Sipas të njëjtave burime, ai është shprehur se sapo të kthehet do të paraqitet vetë në organet kompetente dhe do të japë sqarimet e nevojshme, duke respektuar ligjin dhe institucionet përkatëse.

Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga vetë Mjekiqi në lidhje me akuzat që i janë bërë, përveç këtij postimi të fshirë, që mund të shihej si një përpjekje për të shmangur temën apo për të zbutur atmosferën e tensionuar që e rrethon.