Një deklaratë e thjeshtë, por që ka ndezur rrjetin.
Gjatë një momenti në emisionin “She is on Top”, influencerja Enxhi Ruzhdia u shpreh pa doreza se libri për të nuk është për t’u lexuar, por për t’u përdorur si dekor në foto.
“Të thashë që unë i marr vetëm për aksesor librat. Unë punoj influencuese dhe libri është një aksesor shumë i mirë për të bërë foto, story, për poste. Ta siguroj që kam lexuar një faqe dhe nuk mora vesh asgjë,” – u shpreh ajo.
Fjalët e saj u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të forta dhe të shumta. Pjesa më e madhe e komentuesve e konsideruan deklaratën si shenjë të cekësisë dhe mungesës së vlerës për librin dhe dijen.
Në fakt, edhe pse deklarata e saj mund të duket e habitshme, ajo prek një të vërtetë që shumë preferojnë ta anashkalojnë: shpesh libri është kthyer në sfond për foto, më shumë sesa mjet për të ushqyer mendjen.
Që nga pushimet në plazh deri te kafenetë urbane, libri duket se po humbet funksionin për të cilin është krijuar, dhe po bëhet gjithnjë e më shpesh pjesë e një postimi.
Por kjo nuk është vetëm çështje e një individi. Deklarata e Enxhit ngre një pyetje më të madhe: a po humbet libri vlerën e tij në një shoqëri ku imazhi ka përparësi ndaj përmbajtjes?
