Pas deklaratës së bujshme të influenceres Enxhi Ruzhdia në “She is on Top”, ku tha hapur se librat i përdor vetëm si aksesorë për foto dhe jo për t’i lexuar, rrjetet sociale janë përfshirë nga reagime të ashpra dhe kritika ndaj saj.
Por mes komenteve, një zë i veçantë ka zgjedhur të flasë ndryshe: Rizarta Hoxha, vetë influencuese dhe figurë publike, ka reaguar përmes një story në Instagram, duke marrë në mbrojtje vajzën e re dhe duke ofruar një reflektim më të thellë mbi realitetin shoqëror.
“Një njeri i lexuar kurrë nuk do gjykonte një vajzë të re. Nëse kam kuptuar diçka në jetë është se të gjithë jetojmë në realitetin tonë dhe nuk ka realitet të saktë apo realitet të gabuar,” – shprehet ajo, duke shtuar se mënyra se si të rinjtë sillen është shpesh reflektim i një sistemi arsimor të dështuar dhe një edukimi të mangët nga brezat paraardhës.
Ajo thekson se nuk pajtohet me idenë që libri të shihet si aksesor, por është po aq kundër gjykimit publik ndaj një vajze të re:
“Jam dakord me një realitet ku libri shihet si aksesor? Jo. Jam dakord me një realitet ku një vajzë e re gjykohet dhe merr urrejtje? Jo.”
Rizarta thekson se vetë librat kanë pasur ndikim të madh në jetën e saj, por kjo nuk e bën atë më të mirë se të tjerët:
“Një libër është një jetë e re e jetuar. Ka libra që më kanë ndryshuar mendësinë dhe konceptimin.”
Duke reflektuar mbi rolin e saj si influencuese, ajo shprehet me keqardhje se termi po banalizohet:
“Ti them vetes se profesioni im është ‘influencer’ është përgjegjësi e madhe për mua. Tashmë ‘influencer’ po vetëquhet kushdo.”
Në fund të reagimit, ajo bën thirrje për më shumë mirëkuptim dhe më pak gjykim:
“Le të jemi të sinqertë me veten dhe të pranojmë realitetin e turmës. Fjali si ajo e videos paraardhëse dëgjoj çdo ditë. Vajza me mendime të tilla shikoj çdo ditë. Para se të gjykojmë njeriun, le të analizojmë turmën. Është më e madhe se vajza.”

