Aktorja dhe moderatorja Eliona Pitarka ka ngritur një shqetësim serioz në rrjete sociale, duke denoncuar një fenomen që sipas saj po ndodh në shumë spitale shqiptare: foshnjat e sapolindura po ushqehen me formulë, pa dijeninë apo lejen e nënave.
Në një postim në InstaStory, Pitarka ndau një mesazh nga një ndjekëse që rrëfen përvojën e saj personale:
“Me ka ndodhur me vajzën, e ushqyen infermieret me formulë me pretekstin që s’ke gji. Ma mbajtën një natë bebin larg meje që ta ushqenin.”
Eliona e cilëson këtë si një “fenomen të shëmtuar”, që ndodh në maternitetet në Shqipëri me pretekste si “nuk ke gji”, “ke nevojë për pushim”, apo “është natë”.
Ajo akuzon se kjo praktikë nuk bëhet për të ndihmuar nënën dhe fëmijën, por për të krijuar varësi ndaj formulës, duke sabotuar qëllimisht gjidhënien që në orët e para të jetës.
“Pse? Sepse ka interesa. Sepse formula duhet të shitet,” shkruan Pitarka.

Ajo i bën thirrje nënave të reja të jenë të informuara dhe të mos lejojnë zëvendësimin e gjirit me formulë pa arsye mjekësore. Sipas saj, ky sistem nuk po mbështet nënën dhe foshnjën, por po krijon mosbesim tek trupi i gruas në një moment kyç pas lindjes.
“Gjiri yt nuk është i pamjaftueshëm – është i patjetërsueshëm,” përfundon ajo, duke sjellë në qendër të debatit një temë që ka ngjallur reagime të shumta nga nëna të tjera në rrjet.
