Një ndërprerje e menjëhershme e furnizimit me karburant për të dy motorët e një avioni të Air India shkaktoi përplasjen fatale të fluturimit AI171 më 12 qershor në Indi.
Avioni Boeing 787 Dreamliner ishte nisur drejt Londrës, por u rrëzua vetëm 40 sekonda pas ngritjes nga pista, duke vrarë 260 persona – përfshirë pasagjerë, ekuipazh dhe banorë në tokë. Vetëm një pasagjer mbijetoi.
Sipas raportit paraprak të Byrosë së Hetimeve të Aksidenteve Ajrore të Indisë, të siguruar nga CNN, të dy çelësat e kontrollit të karburantit në kabinë ishin kaluar nga pozicioni “RUN” në “CUTOFF” – me një diferencë prej vetëm një sekonde mes tyre – duke i lënë motorët pa furnizim. Nuk dihet nëse ky veprim u krye nga njëri prej pilotëve apo ishte rezultat i një defekti mekanik.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë që pas ndërprerjes së motorëve, u aktivizua menjëherë turbina ndihmëse (Ram Air Turbine – RAT), e cila furnizon avionin me energji në raste emergjente. Regjistruesit e të dhënave dhe zërit në kabinë (black box) tregojnë se një nga pilotët pyeti tjetrin “Pse i ke fikur motorët?”, por përgjigjja ishte: “Nuk e kam bërë unë.”
Brenda sekondave, pilotët tentuan të kthenin çelësat në pozicionin fillestar për të rindezur motorët, por shumë vonë. Thirrja “MAYDAY” u lëshua menjëherë pas tentativës për rindezje, por kontrolli ajror nuk mori më përgjigje.
Avioni u përplas në një konvikt të Qendrës Spitalore Universitare “BJ Medical College”, jashtë rrethimit të aeroportit, duke shkaktuar vdekje edhe në tokë.
Sistemi i çelësave të karburantit në avionët 787 ndodhet mes dy pilotëve dhe është i mbrojtur nga një strukturë metalike që parandalon manipulimin aksidental.
Ekspertë të aviacionit të cituar nga CNN dhe BBC kanë theksuar se është “ekstremisht e rrallë” që të dy çelësat të kalojnë në pozicionin “CUTOFF” pa një veprim të qëllimshëm.
