Zbulohet raporti psikiatrik për Naim Murselin, ja çfarë thotë rezultati

Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

Sipas raportit zyrtar të siguruar nga KOHA më 11 korrik, Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore që do të ndikonte në përgjegjësinë e tij ligjore.

Në raport thuhet se nuk janë identifikuar shenja të ndonjë çrregullimi mendor, përkohshëm apo të përhershëm, dhe se ai nuk ka abuzuar me substanca psikoaktive apo alkool.

Sipas vlerësimit, Murseli ka qenë në gjendje të kuptojë rëndësinë e veprës për të cilën akuzohet dhe të kontrollojë sjelljen e tij në momentin e ngjarjes.

Raporti thekson gjithashtu se ai është në gjendje të ndjekë procesin gjyqësor, të mbrohet, të kuptojë akuzën dhe të komunikojë me mbrojtësit e tij.

Naim Murseli u dërgua për ekzaminim psikiatrik katër javë më parë, si pjesë e hetimeve për vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje që tronditi opinionin publik në fund të vitit të kaluar.