VIDEO/ Publikohen pamjet e momentit tragjik kur 35-vjeçari thithet nga motori i avionit

Janë publikuar pamjet e fundit të jetës së Andrea Russo, 35-vjeçarit që humbi jetën në mënyrë tragjike në aeroportin Orio al Serio në Bergamo, Itali, pasi u thith nga motori i një avioni.

Ngjarja ndodhi të martën, më 8 korrik, kur Russo hyri në terminalin e aeroportit me makinë, të cilën më pas e braktisi.

Ai kaloi nga zona e mbërritjeve dhe përmes një dere emergjente arriti në pistën ku ndodhej një Airbus A321 i kompanisë Volotea, që po kryente manovrën e nisjes për t’u zhvendosur drejt pistës së ngritjes.

Në një video që është bërë publike, 35-vjeçari shihet teksa vrapon drejt avionit, duke kaluar pranë punonjësve të sigurisë, të cilët nuk arrijnë ta ndalojnë. Ai prek trupin e avionit dhe më pas lëviz rreth tij, për t’iu drejtuar drejtpërdrejt motorit, ku ndodh edhe momenti fatal.

Autoritetet kanë nisur hetimet, duke dyshuar se bëhet fjalë për vetëvrasje. Për këtë arsye, fokusi i hetimeve është përqendruar në orët e fundit të jetës së Rusos, për të kuptuar nëse ndonjë ngjarje personale mund ta ketë shtyrë drejt këtij akti ekstrem.

Ndërkohë, të gjitha fluturimet u pezulluan për rreth dy orë pas incidentit, dhe pasagjerët e avionit u raportuan të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore.