Një skandal ka dalë në dritë nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë.
Modelja e njohur nga Kosova, Ziza Pajaziti, dyshohet se ka zhvilluar një takim special me të dënuarin përjetë Laert Haxhiu, pjesëtar i njohur i bandës së Lushnjës, duke përdorur dokumentacion të rremë për një të dënuar tjetër.
Sipas dokumenteve të publikuara në media, në datën 12 qershor 2025, Pajaziti është paraqitur në burg me kërkesën për të zhvilluar takim me të dënuarin Vladimir Kurti, i dënuar për vrasjen e një tregtari në Kamëz.
Por në vend të tij, në dhomën e takimeve speciale është paraqitur Laert Haxhiu, që ndodhet në qelinë ngjitur me Kurtin në Godinën “A” të këtij burgu.
Takimi mësohet të ketë zgjatur rreth 1 orë, ndërkohë që dyshimet janë për një skemë të mirëorganizuar brenda burgut, me përfshirjen e punonjësve të sigurisë.
Vetëm 17 ditë pas këtij incidenti, një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në po të njëjtin burg. Mëngjesin e 29 qershorit, gjatë një kontrolli të befasishëm në qelitë nr. 4, 5 dhe 6 – ku vuajnë dënimin Laert Haxhiu, Vladimir Kurti, Anterio Kaloshi, Orgest Bilbili dhe Xhensi Lipo – janë sekuestruar katër telefona celularë, kufje të markave “AWEI” dhe “iPods”, duke konfirmuar dyshimet për një rrjet të brendshëm që furnizon të dënuarit me pajisje të ndaluara.
Prokuroria e Korçës ka nisur një hetim penal për të zbardhur mënyrën sesi këto sende arritën të futen në burg, si dhe për të identifikuar përgjegjësit. Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se materialet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit kompjuterik.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur izolimin e Laert Haxhiut, dhe SPAK pritet të propozojë përfshirjen e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij në regjimin special “41-bis”, një regjim izolimi ekstrem për kriminelët e rrezikshëm.
Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi janë të dënuar me burg përjetë për një sërë vrasjesh dhe krimesh të rënda, përfshirë vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit në vitin 2017. Ata përballen gjithashtu me disa dosje të tjera penale në SPAK, për veprimtari kriminale në Lushnjë, Tiranë, Durrës, dhe jashtë Shqipërisë.


