Tragjike/ Një burrë përthithet nga motori i avionit në aeroport, ndërpriten fluturimet

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në aeroportin ndërkombëtar të Milanos në Bergamo (Milan Bergamo International Airport), ku një burrë është përthithur nga motori i një avioni dhe ka humbur jetën në vend.

Policia italiane konfirmoi për Sky News se viktima, një 35-vjeçar, nuk ishte as pasagjer dhe as punonjës i aeroportit apo i kompanisë ajrore. Sipas të dhënave paraprake, ai ka hyrë me makinë në zonën e aeroportit në drejtim të kundërt të trafikut, ka lënë automjetin dhe ka vrapuar drejt një dere emergjente që të çonte në pistën e avionëve.

Dëshmitarët thanë se burri më pas ka vrapuar drejt një avioni të kompanisë spanjolle Volotea, që po përgatitej për nisje drejt Asturias në Spanjë, dhe është futur me vetëdije drejt motorit të ndezur. Forcat e sigurisë dhe policia tentuan ta ndalonin, por nuk arritën ta pengonin në kohë.

Pas incidentit, fluturimet në aeroportin e Bergamos u pezulluan për rreth dy orë.

Kompania ajrore konfirmoi ngjarjen përmes një njoftimi në platformën X (ish-Twitter), duke shprehur keqardhjen dhe duke bërë të ditur se asnjë nga pasagjerët apo stafi nuk është lënduar. Ata shtuan se po ofrojnë ndihmë psikologjike për personat e përfshirë dhe po bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet italiane