Aksidenti që i mori jetën/ Zbulohet shpejtësia e makinës me të cilën po udhëtonte Diogo Jota

Autoritetet spanjolle kanë publikuar detaje të reja rreth aksidentit tragjik që i mori jetën futbollistit të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, Andre Silva.

Sipas Policisë Civile në Zamora, “të gjitha provat deri më tani tregojnë se Jota ishte duke drejtuar automjetin në momentin e përplasjes”.

Hetuesit dyshojnë se makina po udhëtonte me një shpejtësi të konsiderueshme mbi kufirin e lejuar për atë segment autostrade, që është 120 km/h.

Ndër provat që po analizohen janë edhe gjurmët e gomave të automjetit në vendin e ngjarjes.

Aksidenti ndodhi në orën 00:30 të mëngjesit të së enjtes (ora 23:30 me orën britanike) në autostradën A-52, në zonën e Cernadilla, Zamora, në veriperëndim të Spanjës.

Automjeti me të cilin po udhëtonin Jota dhe vëllai i tij përfundoi jashtë rruge, ndërsa pjesë të djegura të tij u gjetën të shpërndara në skaj të rrugës.

Hetimi ende nuk është përfunduar plotësisht dhe pritet t’i dorëzohet gjykatës së Puebla de Sanabria për shqyrtim të mëtejshëm.

Dy vëllezërit u përcollën për në banesën e fundit të shtunën, në qytetin Gondomar pranë Portos, në një ceremoni ku morën pjesë familjarë, bashkëshortja e Jotës, Rute Cardoso — me të cilën ishte martuar vetëm 11 ditë para aksidentit — si dhe një numër i madh figurash nga futbolli portuguez dhe ai anglez.

Liverpool dërgoi kurora me lule në formë fushe futbolli, ndërsa kapiteni Virgil van Dijk mbajti numrin 20 në nder të Jotës. Andy Robertson mbajti një tjetër kurorë me numrin 30, që përfaqësonte Andre Silvën, i cili luante në ligën e dytë portugeze me skuadrën Penafiel.

Mes shumë figurave që shprehën ngushëllime ishin edhe Sir Keir Starmer, grupi Oasis dhe Cristiano Ronaldo.