Një detaj rrëqethës ka dalë në dritë pas aksidentit tragjik që i mori jetën futbollistit të Liverpool-it, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, Andre Silva, në Zamora të Spanjës.
Ishte pikërisht gruaja e Jotës, Rute Cardoso, ajo që u thirr për të identifikuar trupat dhe sendet e djegura nga makina e përfshirë nga flakët.
Pas konfirmimit të identitetit të dy vëllezërve, autoritetet spanjolle i dhanë në kujdes personal asaj sendet personale të mbetura nga zjarri në Lamborghini, ndërsa një ekip mbështetjeje psikologjike u vu menjëherë në dispozicion të saj.
Sipas mediave portugeze, Rute kishte informuar policinë se Diogo dhe Andre kishin planifikuar të ndalonin për të fjetur në Benavente dhe të vazhdonin rrugën të enjten në drejtim të Santanderit, ku do të merrnin tragetin për në Portsmouth. Alarmi u ngrit nga një anëtar i familjes, pasi vëllezërit nuk mbërritën në destinacionin e planifikuar.
Makina shpërtheu në flakë pas një defekti të gomës gjatë një parakalimi në autostradën A-52. Sipas hetimeve paraprake të Gardës Civile spanjolle, asnjë automjet tjetër nuk ishte i përfshirë në aksident dhe askush tjetër nuk ka pësuar lëndime.
Raporti i plotë pritet të dorëzohet në gjykatën e Zamorës pas disa ditësh, pasi hetuesit po analizojnë shenjat në rrugë dhe të dhënat teknike për të përcaktuar shpejtësinë dhe rrethanat e sakta të ngjarjes.
Jota, që u martua me partneren e tij afatgjatë vetëm më 22 qershor, kishte postuar një video nga ceremonia në Instagram pak orë para tragjedisë. Çifti kishte tre fëmijë.