Gjobitet gruaja në Tiranë. Arsyeja? Ushqen macet e rrugës — ja shuma që duhet të paguajë

Irini, një grua 82-vjeçare nga Tirana, është gjobitur me 10 mijë lekë nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, me pretendimin se ushqimi i maceve të rrugës po shkakton ndotje akustike.

Autoritetet bashkiake e kanë urdhëruar të largojë menjëherë kafshët nga zona ku jeton, por e moshuara nuk pranon t’i nënshtrohet vendimit.

Irini thotë se ka vite që kujdeset për macet, duke i ushqyer e strehuar në mënyrë vullnetare. Ajo e konsideron këtë si një akt dashurie dhe njerëzie, e jo si kundërvajtje.

Nëpërmjet avokates së saj, ka depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës, duke kërkuar pezullimin e gjobës deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.

Sipas mbrojtjes, nuk ekziston asnjë ligj që ndalon mbajtjen apo ushqimin e maceve, për sa kohë nuk shkaktohet ndotje reale apo dëm për komunitetin.

Gjykata ka hedhur shortin dhe ka nisur shqyrtimin e kërkesës për sigurimin e padisë në mënyrë të përshpejtuar.

Deri në një vendim të mëtejshëm, Irini vazhdon betejën për të mos hequr dorë nga kafshët që, sipas saj, janë e vetmja shoqëri që ka.