Një 26 vjeçar shqiptar mbeti i vrarë pas një tentativë për grabitje në një vilë në Centola të Italisë. Shqiptari është i identifikuar si Rivaldo Rusi.
Sipas hetimeve, shqiptari bashkë me dy të tjerë kishin hyrë në banesën e një biznesmeni italian, i cili reagoi duke qëlluar me armë zjarri. Njëri prej grabitësve u plagos rëndë dhe ndodhet në spital, ndërsa tjetri është në arrati.
Biznesmeni 60-vjeçar Aurelio Valiante pas ngjarjes groposi trupin e të riut shqiptar disa kilometra larg shtëpisë. Ai u paraqit vetë në Prokurori së bashku me avokatin dhe pranoi se e kishte vrarë dhe më pas e ka fshehur trupin.
Trupi i pajetë i shqiptarit u gjet në vendin e treguar nga autori, ku ndodheshin edhe gruaja dhe vjehrra e viktimës të cilat mes dhimbjes kërkuan drejtësi.
“Ai bëri një gabim, por nuk duhej të kishte vdekur kështu. U varros si kafshë. Na la një fëmijë pa baba”, thanë ato.
Ngjarja ka shkaktuar tensione të forta, pasi rreth 50 shqiptarë, të afërm të viktimës dhe miq të tij, u mblodhën pranë vilës së italianit duke kërkuar hakmarrje.
Ndërkohë autoritet presin përmirësimin e gjendjes së të plagosurit për të marrë dëshminë e tij, pasi është i njohur për precedentë penalë dhe ishte në kërkim për vepra të mëparshme në Toskanë.