Një person i armatosur qëlloi me armë dhe më pas hodhi veten në erë me një jelek shpërthyes brenda kishës ortodokse greke Mar Elias në Damask të Sirisë, gjatë meshës së të dielës.
Autoritetet siriane konfirmojnë se nga shpërthimi janë vrarë të paktën 22 persona dhe janë plagosur 63 të tjerë.
Sulmuesi, që dyshohet se kishte lidhje me grupin ekstremist të Shtetit Islamik (ISIS), ka hyrë në kishë duke bërtitur “Ju derra!”, para se të hapte zjarr mbi të pranishmit dhe më pas të shpërthente eksplozivin që mbante mbi trupin e tij.
Pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë skena të rënda nga brenda ndërtesës së kishës, me trupa të pajetë dhe gjak në çdo cep të saj.
Një banor lokal, Lorance Meamari, dëshmoi se disa besimtarë u përpoqën ta neutralizonin sulmuesin, por ai aktivizoi jelekun shpërthyes në atë moment. “Personalisht kam nxjerrë mbi 10 viktima nga brenda, dhe gjithashtu 10 apo 15 qese me pjesë trupore”, tha ai për mediat.
Ky është sulmi më i rëndë i këtij lloji në Siri në vitet e fundit dhe ka ngritur shqetësime të reja mbi rikthimin e qelizave të fjetura ekstremiste në vendin e shkatërruar nga lufta.
Ministria e Jashtme siriane e cilësoi sulmin si një përpjekje për të minuar bashkëjetesën ndërfetare dhe për të destabilizuar vendin. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Noureddine Al-Baba, deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se pas sulmit qëndron grupi ISIS. Ai tha se “siguria e vendeve të kultit është vijë e kuqe”.
Ndërkohë, Ministri i Informacionit, Hamza Mostafa, e dënoi ngjarjen si një akt terrorist dhe theksoi angazhimin e shtetit për të mbrojtur bashkëjetesën dhe për të luftuar organizatat kriminale që cenojnë sigurinë e shoqërisë.