Teherani ka paralajmëruar hakmarrje të përmasave të mëdha pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili bëri thirrje për ndryshim regjimi në Iran dhe konfirmoi shkatërrimin e plotë të impianteve bërthamore iraniane nga avionët amerikanë.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë në televizionin shtetëror iranian, prezantuesi Mehdi Khanalizadeh tha se “deri në 50 mijë ushtarë amerikanë do të kthehen në Uashington në arkivole”, duke akuzuar Trump për përshkallëzimin e përgjakshëm të konfliktit.
Kërcënimi vjen vetëm një ditë pas një vale të re sulmesh izraelite ndaj selive ushtarake të Iranit, përfshirë goditjen e një qendre komanduese pranë Teheranit, ku mediat izraelite raportojnë për qindra të vrarë nga radhët e Gardës Revolucionare Islamike.
Presidenti Trump shkroi në platformën e tij “Truth Social” se “dëmi monumental” i është shkaktuar të gjitha objekteve bërthamore iraniane, ndërsa theksoi se “shkatërrimi kryesor ka ndodhur në thellësi të tokës”.
Ndërkohë, sulme të reja janë raportuar nga Izraeli ndaj objektit të Fordow, me ushtrinë izraelite që ka goditur një rrugë hyrëse strategjike drejt kompleksit nëntokësor.
Satelitët kanë kapur pamje të reja të shtëllungave gjigante tymi mbi Teheran, ndërsa vala e sulmeve nga Izraeli është përshkruar nga mediat lokale si “me forcë të paprecedentë”.
Situata është gjithnjë e më e brishtë dhe rrezikon të zgjerohet në një përplasje të madhe rajonale, teksa Irani paralajmëron se “do të zgjerojë listën e objektivave legjitime në Lindjen e Mesme” dhe se SHBA “do përballet me pasoja të rënda dhe të paparashikuara”.