Irani ka lëshuar një seri raketash balistike ndaj bazës ajrore amerikane Al Udeid në Katar, një nga qendrat më strategjike të pranisë ushtarake të SHBA-ve në Lindjen e Mesme.
Të paktën gjashtë raketa janë lëshuar, ndërsa shpërthimet e fuqishme janë ndjerë deri në kryeqytetin Doha.
Sipas raportimeve nga Fox News, sulmi ishte i pashmangshëm dhe baza ishte boshatisur më parë si masë paraprake. Autoritetet në Katar njoftuan ndërkohë mbylljen e hapësirës ajrore për shkak të kërcënimeve në rritje pas goditjeve ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Një tjetër raketë balistike u raportua se është lëshuar edhe drejt një baze tjetër amerikane në Irak.
Ky sulm vjen pas bombardimeve amerikane mbi tre qendra të programit bërthamor të Iranit, përfshirë objektin në Fordow, që sipas Uashingtonit u godit me armë të avancuara dhe pësoi dëme të parikuperueshme. Irani ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo akti që cënon infrastrukturën e tij strategjike.