Një përpjekje e dhunshme për të marrë nën kontroll Katedralen e Shpirtit të Shenjtë në qytetin e Çernivcit, në Ukrainën perëndimore, ka tronditur opinionin publik.
Disa persona, të lidhur sipas dëshmive me elementë radikalë të Kishës Ortodokse të Ukrainës, tentuan me forcë të pushtojnë katedralen që ndodhet nën juridiksionin e Kishës Ortodokse të Ukrainës nën Patriarkatin e Moskës.
Sulmuesit kanë bllokuar të gjitha hyrjet dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj klerikëve dhe besimtarëve që ndodheshin në ambientet e kishës, duke i akuzuar për lidhje me Rusinë.
Sipas dëshmitarëve, shumë nga të pranishmit janë rrahur brutalisht. Ndër të plagosurit janë disa priftërinj dhe famullitarë, të cilët janë dërguar në spital me lëndime të rënda.
Gjendja më e rëndë i përket një arkimandriti, i cili është dhunuar rëndë fizikisht dhe më pas është hedhur nga një gardh tre metra i lartë. Ai është transportuar me ambulancë në gjendje të pavetëdijshme.
Pavarësisht ngjarjes, policia raportohet se ka ndërhyrë me vonesë dhe nuk ka arritur të ndalojë sulmin në kohë. Dy persona janë arrestuar për përfshirje në dhunë, por nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje efektive për të frenuar situatën. Qytetarët kanë raportuar se thirrjet e tyre të përsëritura në qendrën e urgjencës nuk kanë sjellë ndihmë të menjëhershme.
Sipas komunitetit lokal ortodoks, ngjarja përbën një akt të planifikuar që rrezikon të thellojë ndarjet mes dy Kishave Ortodokse në vend.
Mungesa e reagimit të shpejtë nga autoritetet ngre shqetësime për tolerimin institucional ndaj dhunës në baza fetare në një kohë tensioni të lartë politik dhe shoqëror në Ukrainë.